Edhe ne, Botimet “Polis”, këtë jemi përpjekur të bëjmë në këto ditë të vështira, të izolimit.
Kemi qenë çdo ditë me ju, për t’jua lehtësuar punën tuaj të vështirë. Çdo ditë, gjatë izolimit kemi postuar planin ditor, me të gjitha veprimtaritë mësimore-edukative sipas lëndëve të secilës ditë. Këto janë shoqëruar me fletët e librave ku gjendet ai mësim sipas lëndëve, me vjershat, përrallat, gjëzat, me video në youtube etj. Po ashtu i jemi përgjigjur të gjitha pyetjeve tuaja në inbox, në telefon, whatsapp etj. duke ju orientuar apo duke ju dërguar materialet për të cilat ju keni patur nevojë.
Shpresojmë që t’ju kemi ndihmuar sadopak dhe të kemi lehtësuar punën tuaj, e cila është bërë edhe më e vështirë këto ditë.
Institucionet e arsimit parashkollor, që përfshjnë fëmijët e grupmoshës 3-6 vjeç, kanë veçori të tjera nga arsimi parauniversitar, duke filluar nga qëllimi i arsimit parashkollor, të cilat lidhen me grupmoshën së cilës i drejtohen, me mjedisin fizik ku zhvillohet veprimtaria mësimore-edukative, me rezultatet e të nxënit, me metodat e mësimdhënies etj.
Për shkak të situatës që po kalojmë, mësueset e kopshteve kanë filluar të japin mësim online. Të japësh mësim online me nxënësit e shkollës 9-vjeçare apo të mesme nuk është njëlloj si të japësh mësim online me fëmijët e grupmoshës 3-6 vjeç.
Sepse:
- Nëse nxënësit e shkollave janë të familjarizuar me internetin dhe celularët, fëmijët 3-6 vjeç jo. Tabletat dhe smartphonët e prindërve deri tani i kishin përdorur vetëm për të parë filma vizatimorë apo për të luajtur ndonjë lojë elektronike.
- Nëse nxënësit e shkollave janë të pavarur nga prindërit, gjatë kohës që iu duhet të zhvillojnë mësimin online, nuk është e njëjta gjë për fëmijët e arsimit parashkollor. Fëmijët e grupmoshës 3-6 vjeç për të zhvilluar mësimin online janë të varur plotësisht nga prindërit apo nga një më i rritur. Kjo nënkupton gjithashtu që orari i mësueses të arsimit parashkollor duhet të kombinohet me orarin e gjithë prindërve të fëmijëve që ka në klasën/grupin e saj. Por, nuk është aq e lehtë të realizohet kjo gjë.
- Nëse nxënësit e shkollave kanë një rutinë të krijuar tashmë prej tyre, fëmijët e arsimit parashkollor ishin duke e ndërtuar rutinën e tyre, e cila papritur iu prish dhe iu duhet të përshtaten me rutinën e re (orari i zgjimit, orari i mëngjesit, i kujdesit për veten, i lojës, i zhvillimit të veprimtarisë mësimore-edukative, orari i drekës etj.)
- Nëse fëmijët e shkollave lexojnë lirshëm dhe i kuptojnë ato që i lexojnë, nuk ndodh e njëjta gjë me fëmijët e kopshteve. Sepse mësuesi/ja i/e nxënësve të shkollave i thotë: lexoni kërkesën dhe plotësoni detyrën. Kjo gjë nuk mund të bëhet me fëmijët 3-6 vjeç: atyre duhet t’ua lexojë kërkesën një më i rritur (mësuesja, prindërit, motrat apo vëllezërit etj.) dhe pastaj ata të punojnë për ta zbatuar atë kërkesë, nëpërmjet së cilës do të realizojnë kompetencën e asaj lënde.
- Nëse vlerësimi për nxënësit e shkollave është më i lehtë, sepse mësuesja i thotë notën dhe ai e kupton nivelin e realizimit të detyrës. Nuk është e njëjta gjë me fëmijët e kopshteve. Sepse vlerësimi për këta fëmijë është përshkrues, realizohet me fjalë e shprehje sintetizuese, nëpërmjet simbolikave vlerësuese, si: yll, flamur, fytyrë e qeshur apo e mërzitur etj. Por në kushtet e zhvillimit të mësimit online kjo gjë nuk mund të realizohet. Pavarësisht se edukatoret hedhin në fb punimet e fëmijëve te vlerësuara me fjalë e shprehje sintetizuese apo simbolika. Por ky vlerësim është për ta parë prindërit dhe të tjerët, sepse fëmijët nuk e shohin dot, se nuk janë përdorues të rrjeteve sociale, e shumta mund t’ia tregojnë prindërit.
Përveç kësaj është e vështirë për mësueset e kopshtit që të vlerësojnë një punë të fëmijëve duke i bërë vërejtje për ta përmirësuar. Kjo gjë nuk mund të bëhet në kushtet e zhvillimit të mësimit online.
Duke mos harruar që në pjesën dërrmuese të punimeve që ekspozohen nëpër rrjetet sociale, dallohet lehtësisht që punët nuk janë bërë nga një fëmijë 3, 4, 5 apo 6 vjeç, por nga një më i rritur (nga prindërit, motrat apo vëllezërit)
Mos harroni që shumë fëmijë të grupmoshës 3-6 vjeç i kemi nëpër fshatra dhe prindërit e tyre nuk kanë as mundësi (nuk kanë internet apo smartphone) dhe as kohë fizike në dispozicion, sepse në fshat është kulmi i punëve të stinës.
Një mësuese e arsimit parashkollor që punon prej 15 vitesh në një fshat të thellë më tregonte që: “jetojnë në fshat dhe mbasdite mblidhen në shtëpi për të punuar për mësimin. Rri nga 17.00-21.00 të darkës me fëmijët online”. Sa mund të jetë efektiviteti i punës në këtë orar komplet të papërshtatshëm për këta fëmijë? Ndërsa një edukatore tjetër më tregonte, se edhe kur mezi i mblidhte të gjithë fëmijët bashkë, ndërhynte një fëmijë dhe i thoshte: “edukatore do iki unë se po më pret shoku tek dera se do luajmë më biçikleta”. Kaq duhet që të çorientohen të gjithë të tjerët.
Mësueset e arsimit parashkollor gjatë shkollimit të tyre kanë zhvilluar lëndët: pedagogji, psikologji, metodikë, didaktikë etj., por nuk janë përgatitur për të dalë para kamerës dhe për të zhvilluar mësimin online. Nuk janë përgatitur të jenë aktore, folëse nëpër emisione, të jenë të familjarizuara me kamerën etj. Punën e tyre e kanë zhvilluar gjithmonë në heshtje, pa shumë bujë, por ashtu “të urta gjer në dhimbje dhe të thjeshta gjer në madhështi”, kanë rritur dhe edukuar breza të tërë fëmijësh. Edhe një mjek, edhe një inxhiner, edhe një kryeministër apo president hapat e para të mësimit i ka marrë në kopësht.
Prandaj mos i paragjykoni dhe mos i bëni meme nëpër media sociale, sepse ato mund të mos jenë më thonj të gjatë me manikyr, mund të mos jenë të mbushura me botoks (dhe mbase pamja e tyre nuk ju pëlqen), veshja e tyre mund të mos jetë e modës së fundit, shtëpia e tyre mund të jetë shumë e thjeshtë, por ama janë profesioniste dhe i janë përkushtuar rritjes dhe edukimit të fëmijëve tuaj.
Mendojeni për një moment të jeni në një klasë/grup me 20, 25, 30, 35 apo edhe 40 fëmijë të grupmoshës 3-6 vjeç (!!) Këto ditë karantine keni vetëm fëmijët tuaj në shtëpi, nuk jeni nën presionin e një drejtori që kërkon nga edukatoret “filmoni veten duke bërë mësim në shtëpi dhe hidheni në fb” (citova fjalë për fjalë një drejtor mediokër) dhe jeni lodhur e jeni mërzitur.
Mos harroni që edukatoret gjithashtu janë nëna dhe mund të kenë fëmijët e tyre që duhet t’i mbështesin për të zhvilluar mësimin online, mund të jenë gjyshe që i duhet të kujdesen për nipërit apo mbesat e tyre, i duhet të gatuajnë, të lajnë e të shpëlajnë njësoj si ju.
Dhe përpara se të regjistrojnë veten duke zhvilluar mësimin online i duhet të venë në qetësi të gjithë njerëzit e shtëpisë, duke porositur pjesëtarët e familjes që të mos flasin, as lëvizin, as të mos zihen në atë moment se bëjnë zhurmë.
Dhe gjithë situatës së çudtishme të karantinës i shtohet edhe meraku si do dukem duke dhënë mësimin online, si ishte zëri im, si ishte veshja ime, po shtëpia ime si dukej etj.etj.
Sepse ne jemi shoqëri paragjykuese. Ca nga zilia e ca nga budallallëku.
Mirëkuptojini, mbështetini, lehtësojini në punën e tyre të vështirë!
Shpresëplotë që kjo situatë do të kalojë sa më shpejt dhe ne do dalim nga karantina, me një ide apo me një gjë të re, të mësuar nga e gjithë kjo përvojë që po kalojmë brenda mureve të shtëpisë.
Me vlerësimin e respektin më të madh për mësueset e arsimit parashkollor dhe më këshillën për ne të tjerët që: t’i shohim punën e mos i shohim gunën.