1. Kreu
  2. Libra për fëmijët 2-6 vjeç
  3. Libra për fëmijët 4-5 vjeç
  4. LIBRI 2 Për lëndët: Matematikë Dituri natyre Arte: Muzikë & Arte pamore (Për fëmijët e grupmoshës 4-5 vjeç)
Botimet e reja, Libra për fëmijët 4-5 vjeç

LIBRI 2 Për lëndët: Matematikë Dituri natyre Arte: Muzikë & Arte pamore (Për fëmijët e grupmoshës 4-5 vjeç)

Autor: DR. Ermioni Cekani
5.00 

Përshkrim i shkurtër:

Ky libër shërben si udhëzues didaktik për fëmijët e grupmoshës 4-5 vjeç, për mësueset
që japin mësim në këtë grup, si dhe për prindërit apo të interesuar të tjerë për të punuar
me fëmijët e kësaj grupmoshe.
Libri u hartua për të ndihmuar dhe ndikuar në të nxënit e fëmijëve të kësaj grupmoshe,
duke pasur parasysh rezultatet e të nxënit (RN) që duhet të arrijë një fëmijë 4-5 vjeç në
përfundim të grupit të dytë.
Kompleti i plotë për fëmijët e grupmoshës 4-5 vjec përbëhet nga dy libra, të cilat kanë
në përbërje 7 libra më të vegjël, sipas lëndëve që zhvillohen në këtë grupmoshë.
Këta udhëzues didaktikë, sipas lëndëve të përcaktuara në “Programet e arsimit
parashkollor”(mosha 4-5 vjeç), do të shërbejnë për të ndihmuar dhe lehtësuar punën e
përditshme të fëmijëve dhe mësueseve gjatë zhvillimit të veprimtarisë mësimore-
edukative, çka bëjnë të mundur realizimin e 7 kompetencave kyçe të arsimit
parashkollor, të cilat janë:
1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit.
2. Kompetenca e të menduarit.
3. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë.
4. Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin.
5. Kompetenca vetjake.
6. Kompetenca qytetare.
7. Kompetenca digjitale.

Për secilën prej këtyre kompetencave, sipas programeve lëndore, janë përcaktuar
njohuritë që fëmija duhet të zotërojë në përfundim të grupit të dytë, të cilat janë
zbërthyer në veprimtari praktike dhe mësimore-edukative.
Niveli i veprimtarive të secilit prej këtyre librave vjen duke u vështirësuar në mënyrë
progresive.
Këto libra janë hartuar me kërkesa të qarta, janë shoqëruar me figura zbavitëse
relativisht të mëdha, bardhë e zi apo me ngjyra, në mënyrë që të tërheqin vëmendjen e
fëmijëve dhe të nxisin interesin e tyre për të punuar me dëshirë.
Çdo temë dhe veprimtari e këtyre librave parakupton që edukatorja dhe fëmijët (apo
prindërit dhe fëmijët) të punojnë së bashku, sepse fëmijëve të kësaj grupmoshe iu
nevojitet udhëzimi dhe mbështetja.
Në krye të secilës prej faqeve të këtyre librave është vendosur kompetenca që synon të
realizohet në atë temë dhe njohuria që pritet të përvetësohet. Gjithashtu për cdo temë
mësimi është përgatitur një udhëzues metodik, i cili i oreinton mësueset apo prindërit se
cfarë duhet të bëni në atë temë mësimi. Po ashtu kjo gjë i ndihmon mësueset që të
bëjnë edhe planin ditor të asaj lënde.
Kërkesa për fëmmijët, që gjendet poshtë udhëzimit, është me gërma më të mëdha dhe
me ngjyrë të dallueshme. Lexojani me zë të lartë këtë kërkesë fëmijës, përsëritini disa
herë, derisa të bindeni që fëmija e ka kuptuar se cfarë duhet të bëjë.
Përveç veprimtarive që janë përfshirë në këtë libër, ka edhe shumë lodra, gjëza, vjersha
e tregime (shih: “Materiale mbështetëse për fëmijët e grupit të dytë”, Tiranë 2016) që i
ndihmojnë fëmijët e grupmoshës 4-5 vjeç të përvetësojnë konceptet që shtjellohen në
këtë libër.
Dhe, në përfundim, mos harroni vlerësimin e punës që kryen fëmija – me fjalë dhe
shprehje sintetizuese, si dhe me simbole vlerësuese. Kjo u jep atyre kënaqësi dhe i nxit
që të punojnë më shumë dhe më me dëshirë.
Libri që ju keni në duar përbëhet nga tre libra didaktikë: “Matematikë”, “Dituri natyre”
dhe “Arte” (që përmban dy lëndë: “Muzikë” dhe “Arte pamore”), të cilat janë hartuar
duke pasur parasysh tre dokumente të rëndësishme të miratuara nga MASR: “Korniza
Kurrikulare e Arsimit Parashkollor”, “Standardet e zhvillimit dhe të nxënit të fëmijëve 3-6
vjeç”, si dhe “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 4-5 vjeç) 1 .
1.Libri “Matematika” është hartuar duke u mbështetur dhe duke zbërthyer plotësisht
“Programin e lëndës së matematikës” 2 . Në këtë libër gjenden veprimtari praktike për
përforcimin e aftësive matematikore të fëmijëve të kësaj grupmoshe, sipas të nxënit me
kompetenca. Bazuar në kurrikulën e re të arsimit parashkollor, standardet e të nxënit
dhe në programet e arsimit parashkollor për grupin e dytë, lënda e matematikës për
grupin e dytë synon të përmbushë 4 kompetenca që arrihen nëpërmjet tematikave
kryesore të matematikës. Këto kompetenca renditen si më poshtë:

1 . “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 4-5 vjeç), Tiranë 2018, Instituti i Zhvillimit të Arsimit.
2 “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 4-5 vjeç), Tiranë 2018, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, faqe 15-25.

1. Zgjidhja e situatave të thjeshta problemore.
2. Arsyetimi dhe komunikimi matematik.
3. Modelimi matematik dhe lidhja konceptuale.
4. Përdorimi i teknologjisë në matematikë.
Për realizimin e kompetencave të të nxënit në këtë lëndë do t’ju ndihmojnë shumë edhe
veprimtaritë praktike të pasqyruara te libri “Metodika sipas fushave të zhvillimit”, Cekani,
E, Polis, (Zhvillimi matematikor, faqe 39-160).
Nëpërmjet veprimtarive dhe situatave të thjeshta problemore të këtij libri, fëmijët do të
pësëritin dhe përforcojnë njohuritë e matematikës që kanë marrë në grupin e parë, do të
përforcojnë arsyetimin logjik, do të njihen me konceptet themelore matematikore dhe
do të krijojnë aftësi për: njohjen e numërorëve dhe numërimin, njohjen e ngjyrave,
njohjen e formave, klasifikimin apo bashkimin, modelimin sipas një modeli të dhënë; do
të marrin njohuritë për përdorimin e teknologjisë në matematikë etj.
Përveç veprimtarive që janë përfshirë në këtë libër, ka shumë e shumë lodra, gjëza,
vjersha e tregime (shih: “Materiale mbështetëse për fëmijët e grupit të dytë”, Tiranë
2016) që i ndihmojnë fëmijët e grupmoshës 4-5 vjeç të përvetësojnë konceptet e
matematikës. Synimi është që fëmijët të aftësohen në mënyrë të tillë që këto koncepte
t’i përdorin në jetën e përditshme duke i përsëritur dhe praktikuar.
2. Libri Dituri natyre për grupin e dytë është hartuar duke u mbështetur dhe duke
zbërthyer plotësisht “Programin e diturisë së natyrës” 3 .
Veprimtaritë mësimore-edukative dhe konceptet e thjeshta në dukje, si ato që lidhen me
diversitetin, ciklet, ndërveprimet dhe sistemet, janë mundësi ideale për të nxitur, përmes
lojës dhe kërkimit shkencor, zhvillimin shkencor të fëmijëve të kësaj grupmoshe. Për të
thelluar njohuritë mund të realizoni me fëmijët veprimtari që lidhen me jetën e
përditshme, sepse atëherë e kanë më të lehtë t’i kuptojnë dhe t’i përvetësojnë njohuritë
e përcaktuara për këtë lëndë, si ekskursione, vëzhgime në natyrë, eksperimente në
grup etj.
Kompetencat kyçe të të nxënit zhvillohen përmes tematikave dhe në program
zbërthehen në njohuri, shkathtësi, vlera dhe qëndrime. Këto kompetenca do të
realizohen nëpërmjet hetimit, kërkimit, zbulimit, vëzhgimit dhe eksperimentimit, si dhe
duke lidhur të nxënit me përvojat reale të fëmijëve dhe jetën e përditshme të tyre. Ne si
mësuese (apo si prindër) e kemi për detyrë të krijojmë sa më shumë mundësi
eksplorimi dhe nxënieje për fëmijët, sepse kështu ata do të zhvillojnë aftësinë e të
kuptuarit të proceseve.
Për realizimin e kompetencave të të nxënit në këtë lëndë do t’ju ndihmojnë shumë edhe
veprimtaritë praktike të pasqyruara te libri “Metodika sipas fushave të zhvillimit”, Cekani,
E, Polis,, faqe 315-335.

3. Libri Artet (Muzikë & Art pamor) është hartuar duke zbërthyer “Programin e lëndës
së muzikës” 4 dhe “Programin e lëndës së artit pamor” 5 .
3 “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 4-5 vjeç), Tiranë 2018, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, faqe 26-36.
4 “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 4-5 vjeç), Tiranë 2018, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, faqe 54-59.

3.1. Lënda e muzikës është konceptuar në funksion të të nxënit gjatë gjithë jetës.
Nëpërmjet veprimtarive të ndryshme mësimore-edukative fëmijët zhvillojnë njohuritë
artistike duke kuptuar si funksionojnë tingujt, timbri, ngjyrat, format, fjalët dhe lëvizjet.
Sepse muzika dhe lëvizjet që e shoqërojnë atë janë mënyra të mrekullueshme për të
nxitur zhvillimin e fëmijëve, ngaqë muzika nënkupton ritëm dhe hapa, i ndihmon të
shkarkojnë energjitë pozitive dhe negative dhe ta mbajnë veten nën kontroll. Kjo lëndë
synon të ndërtojë dhe të zhvillojë krijimin muzikor, performimin/interpretimin muzikor, si
dhe vlerësimin e veprave muzikore.
Për realizimin e kompetencave të të nxënit në këtë lëndë do t’ju ndihmojnë edhe
veprimtaritë praktike të pasqyruara te libri “Metodika sipas fushave të zhvillimit”, Cekani,
E, Polis, faqe 344-345.
3.2. Lënda e artit pamor. Arti është një nga fushat më të pëlqyera për fëmijët e kësaj
grupmoshe. Pikërisht arti pamor është fusha nëpërmjet së cilës mund të realizohet
shumë mirë integrimi lëndor, sepse fëmija, kur vizaton, ngjyros, pret me gërshërë apo
punon me plastelinë, nuk bën vetëm këto veprimtari, por njëkohësisht numëron,
mbledh, luan, zhvillon muskujt e vegjël të gishtave, shoqërizohet me të tjerët etj. Bazuar
në këtë kurrikul, lënda e artit pamor synon të përmbushë 3 kompetencat e lëndës:
krijimin artistik, realizimin e punimeve dhe vlerësimin e veprave të artit. Për realizimin e
kompetencave të të nxënit në këtë lëndë do t’ju ndihmojnë shumë edhe veprimtaritë
praktike të pasqyruara te libri “Metodika sipas fushave të zhvillimit”, Cekani, E, Polis,
faqe 163-279.

5 “Programet e arsimit parashkollor” (mosha 4-5 vjeç), Tiranë 2018, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, faqe 60-64.

Sasia

Kategoria: Botimet e reja, Libra për fëmijët 4-5 vjeç

Libra të ngjashëm

Menu
Keni pyetje? Na shkruaj :)