“Fletorja ime e shkrimit” i ndihmon fëmijët e grupmoshës 5-6 vjeç që të mësojnë të
shkruajnë shkronjat e shtypit (dhe të dorës), në mënyrë sa më të thjeshtë dhe
argëtuese. Po ashtu kjo fletore i nxit fëmijët që të punojnë në mënyrë të pavarur, por
duke ndjekur modelin sipas vijave dhe më pas duke bashkuar vijat, duke shkruar mbi
modelin apo duke kopjuar modelin e shkronjave apo të fjalëve.
Gjithashtu kjo fletore i motivon fëmijët, që nëpërmjet modeleve me bashkim vijash dhe
ilustrime me të gjitha ngjyrat, të mësojnë të shkruajnë fjalët më të përdorura në
kopësht/shkollë.
Sepse në bazë të “Programe të arsimit parashkollor”, të grupmoshës 5-6 vjec, faqe 9,
fëmijët e grupit të tretë dhe të klasave përgatitore, duhet të mësojnë elementet e para të
shrkimit. “Një hap i madh e i rëndësishëm në jetën e fëmijës është fillimi i mësimit të
shkrimit. Në vitet e para, fëmija ka një shkrim që ngjason me shkarravina në formë
rrethore. Më pas, fëmija përpiqet t’i kthejë këto shkarravina në forma më të rregullta dhe
të njohë shkronjat. Shkrimi mund t’u duket i frikshëm fëmijëve të kësaj moshe, ndaj dhe
aktivitetet duhet të planifikohen me kujdes, në mënyrë që t’i ndihmojnë fëmijët të kenë
një qëndrim pozitiv ndaj shkrimit që në hapat e para.”
Një nga kompetencat e fushës së zhvillimit “Gjuhët dhe komunikimi” është edhe: të
shkruarit për qëllime personale dhe funksionale. Në përshkrimin e kësaj
kompetence, në faqen 18 thuhet shprehimisht, se: “Fëmija shkruan saktë dhe pa
gabime drejtshkrimore tekste të thjeshta. Ai/ajo mbledh informacion nga burime të
ndryshme para se të shkruajë kartolina, letra, plane të thjeshta, përshkrime etj. Me
ndihmën e mësuesit fëmija rishikon tekstin e shkruar për të shmangur gabimet
drejtshkrimore. Fëmija shkruan për të komunikuar idetë e veta te të tjerët nëpërmjet
fjalëve, fjalive etj.; shkruan tekste të thjeshta (urim, letër, kartolinë) sipas modeleve të
dhëna”.
Prandaj me fëmijët e kësaj grupmoshe, është e rëndësishme që të mësojnë t’i
shkruajnë shkronjat saktë, por mbani mend se të shkruarit është një aftësi e vështirë
për fëmijët e kësaj moshe dhe nuk duhet të shqetësoheni shumë për rregullsinë dhe
saktësinë në fillim.
Gjithashtu ju mund të keni në grupin apo klasën tuaj fëmijë që janë mëngjarashë, të
cilët i shkruajnë shkronjat në një drejtim tjetër nga modeli që është në fletore. Por kjo
gjë nuk ka asnjë problem për aq kohë sa shkrimi i tyre është i qartë dhe efikas.
Në bazë të “Programe të arsimit parashkollor”, të grupmoshës 5-6 vjec, fëmijët e grupit
të tretë apo të klasave përgatitore, për të realizuar kompetencën e të shkruarit për
qëllime personale dhe funksionale duhet të zhvillojnë këto veprimtari mësimore-
edukative:
– Kopjimi/shkrimi i shkronjave të shtypit të gjuhës shqipe;
– Kopjimi/ shkrimi i fjalëve 2-3 rrokëshe;
– Shkrimi i një kartoline ose urimi të thjeshtë me ndihmën e të rrituri”
Dhe të gjitha këto janë zbërthyer tek “Fletorja ime e shkrimit”. Lexojani fëmijëve
kërkesat në fletore me zë të lartë dhe të qartë dhe kur të bindeni se e ka kuptuar radhën
e të shkruarit, lereni të lirë që të punojë i pavaruar.
Mos harroni vlerësimin, i cili i nxit dhe i motivon për të vazhduar më tej.